Gjatë periudhës 21-25 nëntor 2022, pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë, Qeverisjes dhe Drejtësisë, në Universitetin ‘’Barleti’’, zhvilluan vizitën e radhës në Universitetin e Transilvanisë, në Braşov, Rumani, në kuadër të programit Erasmus + Staff Mobility.
Përgjatë 5 ditëve të vizitës pedagoget zhvilluan takime me përfaqësuesit e zyrës Erasmus + Office, leksione me studentët e Fakultetit të Shkencave Ekonomike dhe Administrim Biznesit me temë ‘’Marrëveshjet e asocimit si një instrument i marrëdhënieve ndërkombëtare ekonomike dhe politike’’ dhe ‘’Sistemi politik në Shqipëri’’ dhe ndoqën dy leksione nga lektoret e këtij fakulteti PhD. Alina Tecau dhe PhD. Madalina Purcaru, të cilat vizituan Universitetin ‘’Barleti’’ në muajin korrik si pjesë e mobilitetit të Universitetit të Transilvanisë.
Moment interesant ishte dhe vizita studimore në Institutin e Kërkimit dhe Zhvillimit ku pedagoget patën mundësinë të vizitonin hapësirat e dedikuara fakulteteve të këtij universiteti dhe të ndiqnin një leksion të hapur me maturantët. Gjatë vizitës ato u informuan se Universiteti i Transilvanisë mban aktualisht vendin e parë në Rumani përsa i përket kërkimit shkencor dhe se ai i kushton një vëmendje të veçantë projekteve studentore nëpërmjet financimeve të ndryshme.
Fokusi i këtyre takimeve ishte shkëmbimi i eksperiencave lidhur me metodat e mësimdhënies dhe shërbimeve të tjera administrative duke u konkluduar në mundësi të reja bashkëpunimi.